Në krye të KFOR-it, pas datës 3 tetor, do të rikthehet për herë të dytë gjeneralmajori i ushtrisë turke, Özkan Ulutaş. Kjo është hera e parë në historinë e KFOR-it që një gjeneralmajor rikthehet në detyrë që nga vendosja e këtij misioni në Kosovë në vitin 1999.
Ndryshe, gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, do t’ia dorëzojë komandën e KFOR-it Ulutaşit, ndërsa Admirali Stuart B. Munsch, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, do të kryesojë ceremoninë.
Për këtë zhvillim, edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë kishte konfirmuar më herët në një intervistë për Telegrafin.
“Po ashtu mbështesim KFOR-in, sepse mendojmë që është vendimtar për stabilitetin e Kosovës dhe të Ballkanit. Nga 3 tetori i këtij viti, komandanti i KFOR-it do të jetë sërish nga Turqia – hera e dytë që e marrim këtë detyrë”, kishte deklaruar diplomati turk, Tunç Angili.
Ceremonia e ndërrimit të komandës midis Komandantit të KFOR XXIX dhe Komandantit të KFOR XXX do të zhvillohet në shtabin e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, në Kampin Film City, Prishtinë, më 3 tetor 2025, në orën 11:00.
Ky zhvillim vjen në kohën kur bëhen dy vite nga sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Nga ky sulm mbeti i plagosur edhe një polic tjetër. Organizatori i këtij sulmi Millan Radoiçiq, edhe sot vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Në këto dy vite, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në veriun e vendit, duke mbetur një faktor kyç në parandalimin e përshkallëzimeve të reja dhe ruajtjen e paqes në Kosovë.
KFOR-i dhe cili është roli i tij?
KFOR (Kosovo Force) është misioni paqeruajtës i NATO-s i vendosur në Kosovë pas luftës të vitit 1999. Qëllimi kryesor i KFOR-it është ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit në vend, duke garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, si dhe duke mundësuar lirinë e lëvizjes.
Përveç kësaj, KFOR-i bashkëpunon me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për ndërtimin e paqes afatgjatë, duke ndihmuar në zhvillimin e forcave vendore të sigurisë, menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e infrastrukturës kritike. Misioni përbëhet nga trupa të vendeve të ndryshme të NATO-s dhe partnereve të saj, duke mbetur një element kyç për sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit.