Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper ka folur për atë sesi Britania e Madhe qëndroi pranë Kosovës në ditët më të vështira. Ajo tha se vlerat britanike më së miri u shpalosën në ndihmën e madhe që ia dha Kosovës në ditët më të vështira.
Në konferencën e Partisë Laburiste, Cooper e përmendi se si kosovarët nderuan flamurin anglez në Kosovë, gjatë ndeshjes së futbollit mes Kosovës dhe Anglisë në nëntor të vitit 2019.
“Dhe nëse ndokush nuk e beson këtë, le të kthehet gjashtë vite pas, kur ekipi i meshkujve të Anglisë në futboll luajti një ndeshje kualifikuese në Kosovë, dhe lojtarët u rreshtuan për himnet kombëtare. Kur filloi të luhej “God Save The Queen”, çdo tifoz kosovar në stadium ngriti lart flamurin(anglez), dhe mes tyre një banderolë që shkruante: “na dhatë shpresë për liri. Dhe ata valëvitën flamurin tonë me krenari, duartrokitën himnin tonë me ngrohtësi, dhe kënduan emrin e Mbretëreshës sonë. Sepse ata e kujtonin se si Britania kishte qëndruar përkrah tyre. Kjo është ajo për të cilën përfaqëson vendi ynë në mbarë botën, dhe kjo është ajo që duhet të vazhdojmë të jemi gjithmonë”, tha sekretarja britanike.
Sekretarja britanike, tha se çdo njeri ka të drejtën të jetojë i lirë nga frika.
“Pas luftës në Kosovë dhe krizës në Ballkan, shpresuam se nuk do të shihnim më luftë në Evropë. Do të dëgjoni njerëz në çdo kontinent të flasin me admirim për Familjen tonë Mbretërore dhe Parlamentin tonë, trashëgiminë dhe kulturën tonë, forcat tona të armatosura dhe universitetet, letërsinë, muzikën, filmin dhe sportin që i kemi dhënë botës, shpikjet britanike që kanë ndryshuar historinë. Por më shumë se kaq, ata do t’ju thonë se flamuri ynë përfaqëson drejtësinë, ndershmërinë, tolerancën dhe dinjitetin”, tha ajo.
“Në këtë konferencë, tridhjetë vjet pas përdorimit të tmerrshëm të përdhunimit dhe dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duhet gjithashtu të sigurohemi që të ketë një mbrojtje shumë më të fortë për gratë dhe vajzat në Sudan, Myanmar dhe konflikte të tjera që po ndodhin sot”, tha ajo në konferencën e Laburistëve që po mbahet në Liverpool.