Një Lamborghini Urus superluksoz, me ngjyrë portokalli dhe vlerë 160 mijë euro, është sekuestruar nga policia e Tiranës pas finalizimit të operacionit të koduar “Manovra”. Mjeti luksoz përdorej nga 34-vjeçari Sahit Shpataj, i cili u ndalua teksa qarkullonte në aksin Sauk–TEG.
Sipas hetimeve, për të fshehur të ardhurat e dyshuara nga veprimtaria kriminale, Shpataj e kishte regjistruar automjetin në emër të një kompanie ndërtimi.
Në dy javët e fundit, kjo është makina e dytë luksoze që sekuestrohet nga Policia. Kujtojmë që edhe më parë mjetet luksoze, pasi janë sekuestruar janë marrë në përdorim po nga vetë policia duke i loguar me stemën e policisë së Shtetit. Zakonisht këto mjete janë përdorur nga Policia Rrugore e Tiranës.
Sa i përket Lamborginit të sekuestruar këtë të mërkurë, blutë e kryeqytetit kanë nisur hetimet jo vetëm për të riun, por edhe për biznesmenin, pasi dyshohet se dokumentacioni i mjetit është përdorur për të justifikuar origjinën e parave. Shpataj, i cili jeton kryesisht në Amerikën Latine, ka refuzuar dy herë t’i ndalojë policisë, por u arrit të ndalohej nga forcat “Shqiponja” me mjetin luksoz.
34-vjeçari nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai rezulton me një sërë precedentesh penalë, përfshirë mashtrim nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe dhunë në familje. Në vitin 2014, ai u arrestua pasi hiqej si polic dhe u merrte para qytetarëve, ndërsa në vitin 2024 u vu në pranga për dhunë ndaj bashkëjetueses.