Partia Socialiste ka konfirmuar kandidatët për zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 Nëntorit të cilat do të mbahen në 6 bashki të vendit. Zyrtarizimi i kandidatëve ka ardhur në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PS-së.
Kështu, kandidati i PS-së për Bashkinë e Tepelenës do të jetë ish Komandanti i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, Gramoz Sako. Mësohet se ky i fundit ka zyrtarizuar vendbanimin në Tepelenë mesditën e djeshme kur ishte edhe afati i fundit i regjistrimeve në Gjendjen Civile.
Gramoz Sako ka një karrierë të gjatë në fushën ushtarake, teksa ka qenë për 11 vite edhe kreu i Gardës së Republikës, që prej vitit 2013, deri në shkurt të vitit 2024.
Vlen të theksohet dhe fakti se kompania “2 T” në pronësi të Artan Sakos, vëllait të Gramoz Sakos, njohet si një prej “gllabëruesve” më të mëdhaja të parave publike, përmes tendereve.

Ndërkohë, kandidate e PS-së për Bashkinë e Vlorës do të jetë deputetja aktuale e këtij Qarku, Brunilda Mersini, e cila pritet të japë dorëheqjen nga mandati në Kuvend, për t’u futur në garën për Bashkinë.
Ajo u zgjodh deputete në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ku duket se postin e ligjvënëses do ta mbajë për pak muaj. Me profesionin mjeke, ajo ka qenë drejtoreshë e spitalit të Vlorës, teksa ka punuar edhe si pedagoge në Vlorë dhe në Tiranë.
Për Bashkinë e Vlorës u përfol emri i kryetarit të komanduar Elis Halili, inxhinierit i cili u emërua nënkryetar ditën e dorëheqjes së Ermal Dredhës, por duket se ka patur një ndryshim në fund me emrin e Brunilda Mersinit, e cila ka patur një ndikim të madh në shkarkimin e Ermal Dredhës dhe emërimin e drejtorëve të rinj.

Në Mat, Partia Socialiste do të kandidojë me Altin Bojnin, i cili aktualisht është kryetar i Këshillit Bashkiak të Matit dhe drejtor i Njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat, teksa më parë, ka ushtruar detyrën e drejtorit të filialit të Postës Mat.

Sa u përket Bashkive të Beratit dhe të Cërrikut, Partia Socialiste do të kandidjojë me kryetarët e komanduar në detyrë.
Më konkretisht në Berat do të jetë Ervin Ceca, i cili ka mbajtur postin e nënkryetarit të bashkisë si dhe të kryetarit të Këshillit Bashkiak.

Ndërsa në Cërrik, kandidat i socialistëve do të jetë po kryetari i komanduar në detyrë Florenc Doka.

Emrat e kandidatëve u zyrtarizuan nga drejtuesit politik të qarqeve të PS-së, në një komunikatë për mediat, pas mbledhjes së Kryesisë. Kandidatët socialistë me shumë gjasë do të jenë përballë kandidatëve të pavarur që do të mbështeten nga Partia Demokratike.
Në zgjedhje do të shkojë edhe Bashkia e Tiranës, aty ku prej kohësh Edi Rama ka konfirmuar si kandidate të PS-së ish-ministren Ogerta Manastirliu, ndërsa Partia Demokratike do të mbështesë kandidaturën e aktorit Florjan Binaj.
Kujtojmë se Bashkia e Beratit, Tepelenës dhe Matit do të bëjnë zgjedhje të parakohshme lokale për shkak tre kryebashkiakët Ervin Demo, Tërmet Peçi dhe Agron Malaj dhanë dorëheqjen për t’u zgjedhur deputetët. Ndërkohë, kryebashkiaku i Cërrikut, Andis Salla dha dorëheqjen për t’u emëruar në postin e Ministrit të Bujqësisë.
Në Vlorë, Ermal Dredha dha dorëheqjen një ditë para Asamblesë së PS-së, pas presionit të vazhdueshëm nga Edi Rama, i cili e ka kritikuar dhe publikisht, ndërsa në Tiranë do mbahen zgjedhjet pas shkarkimit të Erion Veliajt, i cili ndodhet në burg.