Një akt trimërie që preku zemrat e shumë njerëzve ka përfunduar me një humbje të dhimbshme. Pas tre muajsh në gjendje kome, ka ndërruar jetë Arjan Kraja, burri që shpëtoi nga mbytja dy fëmijë në plazhin e Velipojës gjatë sezonit turistik.
Ngjarja ndodhi kur Kraja pa dy të mitur në rrezik për jetën në det dhe, pa hezituar, u hodh për t’i shpëtuar. Falë ndërhyrjes së tij, fëmijët u nxorën të sigurt, por përpjekja e jashtëzakonshme i kushtoi shëndetin. Kraja përfundoi në gjendje kome, nga e cila nuk arriti të rikuperohej.
Ekipi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), ku Arjan Kraja prej vitesh ka qenë shef i grupit ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruhet: “Me keqardhje të thellë Ekipi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes #OSSH, ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut të dashur, Arjan Kraja. Gjatë viteve të tij në detyrë si shef grup, Arjani u dallua për përkushtimin profesional, ndershmërinë në punë, si dhe mirësinë e tij njerëzore, që e bënte të respektuar e të dashur nga të gjithë kolegët. Në këto momente të dhimbshme, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij.”