Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli nuk do të kërkojë miratim nga askush për të ndërmarrë sulme ndaj objektivave në Gaza apo Liban, pavarësisht se ka pranuar një marrëveshje armëpushimi.
Gjatë një takimi me ministrat e kabinetit qeveritar, Netanyahu theksoi se “Izraeli është një shtet i pavarur. Ne do ta mbrojmë veten me mjetet tona dhe do të vazhdojmë të përcaktojmë fatin tonë”, duke shtuar se “nuk kërkojmë miratimin e askujt për këtë. Ne kontrollojmë sigurinë tonë.”
Deklarata vjen pas një jave vizitash nga zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët kanë kërkuar konsolidimin e armëpushimit në Gaza.
Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se të shtunën ka kryer një “sulm të synuar” ndaj një individi në Gazën qendrore, i cili dyshohej se po planifikonte sulme ndaj trupave izraelite.
Sipas ushtrisë, objektivi ishte një anëtar i Xhihadit Islamik, por grupi militant palestinez e ka mohuar këtë, duke e cilësuar si një “pretendim të gabuar” dhe pa konfirmuar nëse ndonjë nga anëtarët e tij është vrarë.
Dëshmitarë në terren raportuan se një dron izraelit goditi një automjet dhe i vuri flakën, ndërsa mjekët lokalë thanë se katër persona u plagosën, pa pasur raportime të menjëhershme për viktima.
Po ashtu, tanket izraelite kanë bombarduar zonat lindore të Qytetit të Gazës, por ushtria nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi këto veprime.
Sipas mediave izraelite, autoritetet kanë lejuar hyrjen e zyrtarëve egjiptianë në Rripin e Gazës për të ndihmuar në gjetjen e trupave të pengjeve të rrëmbyer gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj komuniteteve izraelite, sulm që çoi në shpërthimin e luftës. Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, Hamasi ka deklaruar se do të kthejë të gjithë pengjet që ka rrëmbyer, por mbetjet mortore të 13 prej tyre mbeten ende në enklavë.




