Një gazetar meksikan, i cili raportonte mbi aktivitetet e karteleve të drogës, është gjetur i vdekur të shtunën në një autostradë, me një shënim pranë trupit të tij, raportoi media ku ai punonte.
Trupi i Miguel Ángel Beltrán ishte mbështjellë me një batanije dhe u gjet në rrugën që lidh shtetin Durango me qytetin Mazatlán, në shtetin e Sinaloas, i njohur për praninë e fortë të karteleve të drogës, sipas portalit Contexto de Durango.
Gazetari u identifikua nga djali i tij, i cili e kishte parë për herë të fundit të enjten, kur të dy u nisën për në punë.
Pranë trupit të Beltrán u gjet një shënim ku, sipas mediave lokale, shkruhej: “Për përhapjen e akuzave të rreme kundër popullit të Durangos”. CNN nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur përmbajtjen e mesazhit, por zakonisht mesazhe të tilla lihen nga kartelet si paralajmërim për këdo që guxon t’i sfidojë. Autoritetet e shtetit janë kontaktuar nga CNN për më shumë informacion.
Beltrán kishte punuar për disa media, përfshirë Contexto de Durango. Ai gjithashtu drejtonte një blog dhe një llogari në TikTok, ku publikonte lajme mbi krimin dhe çështje të tjera shoqërore. Vetëm disa ditë para vdekjes, ai kishte postuar një video në lidhje me arrestimin e një të dyshuari si udhëheqës i një bande.
Sipas organizatës Reporterët pa Kufij, Meksika mbetet një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët. Beltrán është gazetari i nëntë që vritet në këtë vend gjatë vitit 2025.
Shoqata Ndëramerikane e Shtypit dënoi vrasjen e tij dhe i bëri thirrje autoriteteve që “të sigurojnë që ky krim të mos mbetet pa u ndëshkuar”.




