Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria kërkon marrëdhënie të mira me Serbinë, pavarësisht dallimeve për Kosovën.
“Ne jemi të patundur në bindjen tonë që vetëm paqja, jo vetëm është më mirë se gjithçka tjetër, por edhe për faktin që, sa më i lumtur komshiu, aq më e lumtur shtëpia. Diçka që ma ka mësuar gjyshja ime. Nëse po feston vet, sigurohu që fqinji të mos jetë duke vdekur urie, sepse i gjithë ky gëzim shkon për dreq.
Kemi shkuar në Serbi 68 vjet pas vizitës së fundit. Natyrisht kemi një problem me Serbinë, që është Kosova. Për ne është shtet në të drejtën e vet, dhe jo vetëm për ne, por për shumicën e vendeve të BE. Për disa vende dhe Serbinë, nuk është.
Por nëse do të vazhdojmë të rrimë me kokën e pas e të ndezim tensione dhe energji negative dhe të dëmtonim veten dhe të ardhmen tonë”, tha Rama në një bashkëbisedim me gazetarët në Forumin e Paqes në Paris.
“Alternativa tjetër do të ishte: “Nuk biem dakord për këtë, por njerëzit tanë duhet të kenë lirinë e lëvizjes, mallrat do të lëvizin lirshëm”. Nuk mund të jemi europianë në Europë dhe ballkanas në Ballkan”.
Kryeministri gjithashtu kritikoi shtetet europiane për sjelljen e tyre. “Vitet e fundit kam parë që Europa është ballkanizuar shumë. Shihni Francën, Britaninë. Nuk miratojnë dot një buxhet, çfarë është kjo? Ballkan. Shikoni Britaninë. Janë edhe më keq. Është një ballkanizim total i Europës. Tani ne jemi të mirët”.




