Një ngjarje e rëndë ka tronditur Britaninë e Madhe, ku në Monmouthshire të Uellsit, një foshnjë 9-muajshe humbi jetën pasi u sulmua nga qeni i familjes.
Sipas dëshmitarëve, incidenti ndodhi të dielën në mbrëmje, pasi qeni ishte trembur nga shpërthimet e fishekzjarrëve në një fushë rekreative pranë shtëpisë. I alarmuar dhe në “panik”, kafsha sulmoi fëmijën, duke shkaktuar plagë fatale.
Forcat e armatosura dhe shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje rreth orës 18:00, ndërsa qeni u qetësua dhe u dërgua te veterineri, ku më pas u eutanizua.
Një fqinje, Caroline Knight, tha për The Sun: “Dikush po hidhte fishekzjarrë afër shtëpisë dhe qeni u shqetësua shumë. Duhet të ketë panikuar dhe ka sulmuar foshnjën. Është e tmerrshme, më dhemb zemra për familjen.”
Policia vijon hetimet për të përcaktuar racën e qenit, ndërsa komuniteti lokal është tronditur thellë nga ngjarja.
Prifti i zonës, Gilly Hubbard, u shpreh: “Të gjithë janë në shok dhe thellësisht të tronditur. Është një komunitet shumë i bashkuar dhe jam e sigurt që do ta përballojmë këtë tragjedi së bashku.”
Sipas mediave britanike, babai i foshnjës ndodhej duke vizituar familjarë në momentin e ngjarjes. Banorët e lagjes e kanë përshkruar familjen si “njerëz të dashur dhe fqinjë të mrekullueshëm”.




