Ish-mbreti në ekzil i Spanjës, Juan Carlos I, ka zbuluar për herë të parë se si ka vrarë vëllain e tij më të vogël kur ishin adoleshentë. Ish-monarku, i cili tani jeton në Dubai, ka botuar këtë javë kujtimet e tij me 500 faqe, në të cilat shkruan për vdekjen e Alfonsos pothuajse 70 vjet më parë.
Juan Carlos u rrëfen lexuesve se për dekada “nuk më pëlqente të flisja për këtë, dhe kjo është hera e parë që e bëj”.
Në librin, i cili është botuar në Francë me titullin “Juan Carlos I d’Espagne: Réconciliation”, 87-vjeçari kërkon të pajtohet me djalin e tij, Mbretin Felipe VI të Spanjës, dhe të përballet me kujtimet e dhimbshme nga e kaluara.
Ai tregon incidentin traumatizues që ndodhi në fëmijërinë e tij, kur vëllezërit po “luanin” me një pistoletë në shtëpinë e familjes në Portugali, në vitin 1956. “Nuk do ta marrë veten kurrë nga kjo tragjedi. Rëndësia e saj do të më shoqërojë përgjithmonë”, shkruan Juan Carlos.
Episodi është rrëfyer në një kapitull prej vetëm dy faqesh me titull “Tragjedia”, ku ish-mbreti shpjegon se karikatori i pistoletës ishte hequr, ndaj ai kishte menduar se ajo nuk përbënte rrezik.
“E kishim hequr karikatorin. Nuk kishim asnjë ide që kishte mbetur një plumb në tytë. Një e shtënë u dëgjua në ajër, plumbi u përplas dhe goditi vëllain tim drejt e në ballë. Ai vdiq në krahët e babait tonë”, shkruan ai.
Në atë kohë, nuk u hap asnjë hetim gjyqësor për rrethanat e aksidentit me armë zjarri.
Juan Carlos, atëherë 18 vjeç, dhe Alfonso, 14 vjeç, po luanin me një pistoletë automatike Star Bonifacio Echeverria, që i përkiste vëllait më të vogël.
Pasi ishin vetëm në dhomë, gjithmonë ka mbetur e paqartë se si u vra Alfonso.
Njëra nga rrobaqepëset e princeshës María de las Mercedes ka pohuar në atë kohë se Juan Carlos e kishte drejtuar pistoletën drejt Alfonsos dhe kishte qëlluar pa e ditur që ajo ishte e mbushur.
Por burime të tjera kanë thënë se plumbi kishte rënë pas një përplasjeje ose se dera kishte goditur krahun e ish-mbretit, duke bërë që ai ta qëllonte vëllain pa dashje.
Një tjetër histori thotë se Juan Carlos, i cili ishte kthyer në shtëpi për Pashkë nga shkolla e tij ushtarake e rreptë, po pastronte një revole që ia kishte dhuruar Francisco Franco kur qëlloi vëllain e tij.




