Një tabelë e vendosur nga Myftinia e Shkodrës në qendër të qytetit është bërë shkak për një përplasje me bashkinë ditën e sotme. Policia bashkiake ndërhyri duke e hequr tabelën, me arsyetimin se ishte vendosur pa leje dhe zinte hapësirë publike.
Në tabelë ishte shkruar një thënie profetike: “Kush grabit padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë, në ditën e Kiametit, Allahu do t’i varë në qafë edhe shtatë palë tokë.”
Ajo ishte vendosur përballë kantierit ku po ndërtohet një kullë 35-katëshe pranë ish-hotelit “Turizmi” — një pronë që, sipas Myftinisë, i përket asaj, Kishës Ortodokse dhe familjes Laçej. Përfaqësues të Myftinisë e kanë cilësuar ndërtimin si një “grabitje të hapur” të pronës së tyre.
Nga ana tjetër, Bashkia Shkodër ka argumentuar se çdo vendosje tabele në hapësirë publike duhet të bëhet me leje, duke justifikuar kështu ndërhyrjen e policisë bashkiake.
Sipas Myftinisë, tabela ka qëndruar prej vitesh në atë vend, duke përcjellë herë pas here thënie fetare apo mesazhe morale. Megjithatë, këtë herë ajo u hoq pavarësisht kundërshtimeve të përfaqësuesve fetarë.




