Një dasmë madhështore në Udaipur të Indisë ka bërë bujë në mbarë botën, duke u konsideruar si një nga eventet më luksoze të vitit. Netra Mantena, vajza e miliarderit dhe industralistit farmaceutik Rama Raju Mantena, kurorëzoi dashurinë e saj me sipërmarrësin e teknologjisë Vamsi Gadiraju në një ceremoni që shumë e kanë cilësuar si “hollivudiane”.
Dasma u zhvillua pranë Taj Lake Palace, resorti i famshëm i paraqitur në filmin e James Bond “Octopussy”, ndërsa fatura e saj mendohet të ketë kapur shifrën marramendëse prej 6,7 milionë dollarësh.
Eventi mblodhi një listë të pafund të personaliteteve të njohura nga politika, biznesi dhe showbiz-i. Në mesin e të ftuarve ishin Donald Trump Jr. me partneren e tij Bettina Anderson, si edhe një mori emrash nga Bollywood si Ram Charan, Shahid Kapoor, Madhuri Dixit, Nora Fatehi dhe Karan Johar.
Ylli i mbrëmjes ishte Jennifer Lopez, e cila jo vetëm ishte e ftuar speciale, por edhe performoi live disa nga hitet e saj më të mëdha. 56-vjeçarja ndezi skenën me kostume skenike ekstravagante, ndërsa të ftuarit kërcenin nën ritmet e “Waiting for Tonight”, “On the Floor” dhe këngëve të tjera të saj të famshme. Lopez kishte zgjedhur disa veshje mjaft të guximshme, por gjithashtu u shfaq edhe me një veshje indiane të zbukuruar dhe bizhuteri smeraldi gjatë momenteve zyrtare të ceremonisë.
Një nga atraksionet më të komentuara të mbrëmjes ishte torta gjigante 15 metra e lartë, e krijuar nga mjeshtri francez Bastien Blanc-Tailleu. Torta u dizajnua në formën e një pallati me figura elefantësh, luanësh dhe lule të modeluara me detaje të imëta, duke i lënë të gjithë të ftuarit pa fjalë.
Megjithatë, luksi i tepruar ka nxitur edhe kritika në media lokale dhe rrjete sociale, ku shumë e kanë cilësuar një “shpenzim të panevojshëm” në një kohë kur pabarazitë ekonomike në Indi mbeten të larta