Një 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti të rëndë.
Aksidenti ka ndodhur në Schlieren, kantoni i Cyrihut, teksa raportohet se shoferi, po ashtu 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, pas përplasjes fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, më pas u vetëdorëzua, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.
Sipas raportit zyrtar të Policisë Kantonale të Cyrihut, aksidenti ndodhi të shtunën rreth orës 23:30. Automjeti, një SUV i fuqishëm BMW me mbi 500 kuaj fuqi, po lëvizte nga Engstringerstrasse drejt Grabenstrasse.
Ekspertët e policisë, bazuar në gjurmët në vendin e ngjarjes, raportuan se makina po lëvizte me shpejtësi shumë më të madhe se ajo e lejuar, në një zonë ku kufizimi është 30 km/h.
Pas një kthese djathtas, vozitësi humbi kontrollin mbi automjetin e fuqishëm. Automjeti doli nga rruga nga ana e djathtë, duke shkaktuar një seri përplasjesh. Së pari rrëzoi një dritë për ndriçim në rrugë, më pas goditi një pemë pranë rrugës, në fund, u përplas me pjesën e përparme, në fasadën e një shtëpie banimi.
Sipas raportimeve, pas aksidentit, pasagjeri – një 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut – mori lëndime të rënda. Në vend që të kërkonin ndihmë të menjëhershme, shoferi dhe një grua, ende e paidentifikuar, që ishte në automjet, u larguan nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën pa ndihmë. Shërbimet e emergjencës arritën shpejt dhe e transportuan të plagosurin në spital, ku ai ndërroi jetë të dielën pasdite.
Shoferi dorëzohet, pasagjerja në kërkim
Policia dhe Prokuroria Publike e Cyrihut-Sihl nisën menjëherë një hetim të gjerë. I detyruar nga rrethanat, vozitësi u paraqit në stacionin e policisë të dielën, pak para orës 12:00, dhe iu dorëzua autoriteteve.
Hetimi vazhdon pa ndërprerje, ndërsa policia ende kërkon gruan që ishte në automjet për të zbuluar rolin dhe identitetin e saj.




