Bashkimi Evropian po përgatit sanksione të reja kundër Qeverisë së presidentit bjellorus Aleksandar Lukashenko, të cilën e akuzon për një fushatë “hibride” kundër Lituanisë fqinje, tha të hënën shefja e BE-së, Ursula von der Leyen.
Lituania e mbylli kufirin me Bjellorusinë në tetor pasi dhjetëra balona të ngarkuara me cigare të paligjshme hynë në hapësirën e saj ajrore, duke detyruar disa aeroporte të mbyllen dhe duke nxitur tensione mes dy vendeve.
“Gjendja në kufi me Bjellorusinë po përkeqësohet, me shpeshtimin e futjes së balonave të kontrabandës në hapësirën ajrore të Lituanisë”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian në X pas bisedimeve me presidentin lituanez, Gitanas Nauseda.
“Një sulm i tillë hibrid nga regjimi i Lukashenkos është plotësisht i papranueshëm. Lituania vazhdon të ketë mbështetjen tonë të plotë”, tha von der Leyen, duke shtuar se “ne po përgatisim masa të mëtejshme në kuadër të regjimit tonë të sanksioneve”.
Mbyllja e kufirit në tetor la mijëra kamionë lituanë të bllokuar në Bjellorusi. Disa prej tyre ende ndodhen atje të ngecur, dhe Vilniusi e ka akuzuar Minskun për “shantazh” lidhur me miliona euro mallra të mbetura.
Ndërkohë, shërbimi diplomatik i BE-së tha se e ka thirrur të hënën të dërguarin e Bjellorusisë në takim për shkak të “veprimeve hibride që burojnë nga territori bjellorus dhe që përbëjnë një kërcënim për BE-në”, përfshirë edhe “çështjen e papranueshme” të kamionëve të bllokuar.
BE-ja ka vendosur sanksione vazhdimisht ndaj Minskut që nga viti 2020 – duke përfshirë edhe ato ndaj Lukashenkos dhe familjes së tij – për shtypjen brutale të kundërshtarëve dhe për mbështetjen e luftës së Moskës në Ukrainë.
Lukashenko, është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe e lejoi Moskën ta përdorte vendin e për ta nisur pushtimin e Ukrainës në vitin 2022./ REL (A2 Televizion)




