Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Auckland të Zelandës së Re, ku një 32-vjeçar është arrestuar dhe akuzuar për vjedhje, pasi dyshohet se ka gëlltitur një vezë Fabergé.
Sipas policisë, veza Fabergé e zbukuruar me diamante dhe safirë, me vlerë rreth 19 300 dollarë amerikanë, nuk është rikuperuar ende.
Ngjarja ndodhi të premten e kaluar në dyqanin “Partridge Jewellers” në qendër të Auckland, ku policia mbërriti menjëherë pas raportimit dhe arrestoi në vendngjarje të dyshuarin.
Sipas përshkrimit të bizhuterisë, veza luksoze, e quajtur “Octopussy”, është e zbukuruar me 60 diamante të bardhë dhe 15 safirë blu, ndërsa brenda saj ndodhet një oktapod i vogël prej ari 18-karatësh. Modeli është frymëzuar nga filmi i vitit 1983 i James Bond, “Octopussy”, i cili fokusohet pikërisht te një grabitje vezësh Fabergé.
Policia njoftoi se i arrestuari i është nënshtruar një ekzaminimi mjekësor dhe aktualisht ndodhet në paraburgim. Ai pritet të dalë sërish para gjykatës më 8 dhjetor.




