Ernest Muçi është padyshim lojtari i momentit te Shqipëria. Futbollisti shqiptar po kërkon titullin kampion me Trabzonsporin dhe të dielën shënoi 2 gola të tjerë kundër Goztepes, ku goli i dytë ishte sërish spektakolar.
I ftuar në “Mega Sport” në A2 CNN ishte edhe një prej trajnerëve apo më saktë njeriu që e ka formuar Muçin në moshat më të vogla, Eduart Zhupa. Ai ka treguar edhe një detaj të bukur në lidhje me lojtarin e Kombëtares.
“Kemi bërë një turne për Muçin në 2015 në Venecia dhe e kërkoi Juventusi. E kërkoi direkt Juventusi, që në atë moshë. Erdhën dhe e panë atje, por ka ndryshuar ligji tani që lojtarët tanë nuk quhen të huaj në Itali, atëherë quheshin të tillë. Kështu kishte shumë probleme me dokumentacionin, mosha, kishte shumë faktorë. Kjo tregon që futbolli shqiptar ka talente”, tha Zhupa.




