Oferta e valutës në ekonominë shqiptare ngelet e lartë, ndërsa kursi i këmbimit të monedhës europiane me Lekun preku një minimum të ri historik në fund të javës së kaluar.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 96.57 lekë, duke zbritur lehtësisht poshtë nivelit minimal historik të mëparshëm, prej 96.59 lekësh, që ishte shënuar gjithashtu javën e kaluar.
Euro ngelet në pozita të dobëta, pavarësisht blerjeve të mëdha dhe të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë po vijon edhe gjatë muajit dhjetor blerjet e valutës në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave nga tregu, të premten e kaluar Banka Qendrore bleu 15.1 milionë euro në ankandin e planifikuar të blerjes së valutës, pjesë e kalendarit vjetor të blerjeve në funksion të objektivave të rezervës valutore.
Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes pesë dhe dhjetë milionë eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë realizoi blerje në vlerën e sipërme të intervalit, për gjithsej dhjetë milionë euro, me një kurs mesatar prej 96.67 lekësh.
Vlera totale e ofertave të paraqitura në raundin e parë të ankandit ishte përsëri mjaft e bollshme, në shumën e 17.8 milionë eurove.
Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 5.1 milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë.
Një ditë më parë, më datë 4 dhjetor, Banka e Shqipërisë pati kryer gjithashtu blerje direkte të valutës, me qëllim mbajtjen nën kontroll të rënies së Euros që një ditë më parë, në 3 dhjetor, kishte zbritur në një minimum të ri historik.
Për të dytin vit radhazi, Banka e Shqipërisë po ndërmerr blerje të mëdha në tregun e brendshëm valutor, me qëllimin për të mos lejuar forcimin e mëtejshëm të Lekut.
Sipas informacionin zyrtar të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2024 u blenë në tregun valutor 933 milionë euro. Ndërsa, sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko, për nëntë muajt e parë të këtij viti Banka Qendrore ka blerë rreth 800 milionë euro të tjera.
Blerjet e Bankës së Shqipërisë nuk e kanë frenuar dot plotësisht rënien e kursit Euro-Lek, por megjithatë e kanë ngadalësuar ndjeshëm rënien e tij. Aktualisht, kursi i këmbimit Euro – Lek është në rënie me 1.8% krahasuar me të njëjtën ditë të vitit të kaluar. Në fund të vitit të kaluar, rënia e vjetore e kursit Euro-Lek kishte qenë 5.5%.
Agjentët e tregut valutor e shpjegojnë tendencën në rënie të mëtejshme të kursit me ofertën e qëndrueshme të monedhës europiane në tregun valutor. Kjo tendencë është theksuar veçanërisht pas tremujorit të tretë të vitit. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e tretë 2025 vëllimi i tregtimeve valutore u rrit me 24.4% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024./ Monitor




