Mjeshtri i arratisjeve nga burgu 41-vjeçari shqiptar, Taulant Toma është arratisur sërish, kësaj radhe në mënyrë spektakolare nga burgu i Operas në Itali.
Kjo është hera e katërt që Taulant Toma arratiset nga burgjet.
Mediat italiane shkruajnë se dënimi i 41-vjeçarit mbaronte në vitin 2048. Taulant Toma është person me precedent penal për grabitje, vjedhje dhe drogë.
Që nga mëngjesi i së dielës, ai është kontrolluar kudo dhe përreth burgut të Operas, por nuk është gjetur.
Alarmi u dha në orën 8:00 të mëngjesit, kur gjatë kontrollit oficerët e policisë në burgun e sigurisë së lartë në Opera nuk arritën ta gjenin 41-vjeçarin shqiptar në qelinë e tij.
Taulant Toma kishte prerë hekurat e dritares së qelisë dhe kishte dalë në oborr, ku më pas ishte ngjitur mbi murin rrethues të burgut dhe është larguar. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar në detaje mënyrën dhe kohën e arratisjes së tij për të zbuluar se ku mund të ketë shkuar.
Kjo është arratisja e katërt në karrierën e tij kriminale dhe njihet si mjeshtër i arratisjeve nga burgjet. Rasti i fundit ishte në vitin 2013, kur ai arriti të arratisej nga burgu i Parmës së bashku me një të burgosur tjetër.
Ai u kap më pas në Belgjikë, por u arratis përsëri disa muaj më vonë, vetëm për t’u kapur përsëri në vitin 2015. Arratisja e tij e parë ishte në tetor 2009 nga burgu i Ternit.




