Italia sekuestron 18 milion euro, të ardhura nga trafiku i 1.4 ton kokainë

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!


Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Italisë, ISTAT, trafiku ndërkombëtar i drogës dhe aktivitetet e tjera kriminale janë pjesë e ekonomisë së paregjistura, një sektor i paligjshëm që kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në llogaritjet makroekonomike.

Vetëm për vitin 2023, vlera e këtij segmenti në Prodhimin e Brendshëm Bruto është vlerësuar rreth 15 miliardë euro e mbi këtë kuadër analitik, mëngjesin e sotëm, me urdhër të Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Reggio Calabrias, Guardia di Finanza ka ekzekutuar një sekuestrim parandalues prej gati 18 milionë eurosh, që korrespondon me tatimet e shmangura mbi të ardhurat e paligjshme të përfituara nga trafiku i kokainës në kuadër të operacionit antimafia Eureka.

Guardia di Finanza e Reggio Calabrias ka verifikuar importimin e mbi 1 ton e 400 kilogramëve kokainë që nuk ishte sekuestruar gjatë ndërhyrjeve operative, duke përcaktuar me saktësi çmimin e saj në treg, i cili varionte nga 29.000 deri në 32.500 euro për kilogram. Këto të dhëna lejuan rindërtimin e të ardhurave reale të gjeneruara nga aktiviteti kriminal. Sipas rindërtimit të Prokurorisë, të ardhurat e fshehura ndaj fiskut kapin mbi 42 milionë euro, me tatime të shmangura për një shumë totale prej gati 18 milionë eurosh, që përbën objektin e sekuestrimit parandalues të sotëm.

Operacioni Eureka u zhvillua më 3 maj 2023 nga ROS (Reparti i Trupave Speciale)  i Karabinierëve dhe Komanda Provinciale e Reggio Calabrias dhe kishte për qëllim goditjen e rrjeteve kriminale të lidhura me mafian kalabreze ndrangheta-n dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Gjatë operacionit u zbatuan 108 masa sigurie ndaj personave të lidhur me ‘ndrangheta-n, nga të cilat 85 u arrestuan dhe dërguan në burg, ndërsa hetimet paraprake përfshinë rreth 119 persona nën akuzë. Operacioni u shtri në Itali dhe të paktën në gjashtë vende të Bashkimit Europian, përfshirë Gjermaninë, Belgjikën, Francën, Spanjën, Portugalinë dhe Rumaninë, ku u ekzekutuan urdhër arresti europian dhe rreth 150 kontrolle banesash. Hetimet dokumentuan një rrjet kriminal transnacional me lidhje operative në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Kolumbi dhe Brazil, për furnizimin e drogës dhe përdorimin e porteve strategjike europiane si Gioia Tauro për shpërndarjen e saj në Evropë.

Masa e ekzekutuar këtë mëngjes prek tetë persona, figura drejtuese të organizatës kriminale, të arrestuar, të gjykuar dhe të dënuar në shkallë të parë me burg. Ata përbëjnë bërthamën e rrjetit dhe ishin përgjegjës për negociatat me furnitorët kolumbianë, përcaktimin e çmimeve të blerjes dhe shitjes së kokainës, si dhe ndarjen e fitimeve. Hetimet përfshijnë akuzat e bashkëpunimit mafioz, trafik ndërkombëtar të drogës me rëndesën e sasisë së madhe, prodhim, zotërim dhe trafik droge ndërkufitar,  trafik armësh, përfshirë armë lufte, si dhe riciklim parash dhe transferime të paligjshme vlerash.

Më 2 tetor 2025, në procesin e zhvilluar në sallën bunker të Reggio Calabrias, u dhanë vendimet e para për shumicën e çështjeve të lidhura me operacionin Eureka: 76 të dënuar dhe 7 të shpallur të pafajshëm. Masat financiare të sotme tregojnë vijimësinë e hetimeve dhe përpjekjen e autoriteteve për të goditur rrjetin kriminal edhe në aspektin ekonomik dhe fiskal. Ky zhvillim tregon qartë strategjinë e autoriteteve italiane kundër aktiviteteve kriminale jo vetëm penalisht, por edhe ekonomikisht, duke rikuperuar tatimet e shmangura dhe duke siguruar barazinë fiskale ndaj qytetarëve të ndershëm.

Share This Article