Ndërsa festat e fundvitit afrojnë, një familje shqiptare vijon të përballet me realitetin e hidhur të jetesës në rrugë në Montpelje të Francës. Çifti, që ka ikur nga vendi me katër fëmijë, përfshirë një foshnjë 20-muajshe të sëmurë, nuk ka gjetur ende strehim emergjent, pavarësisht përpjekjeve të përditshme për ndihmë nga autoritetet franceze.
Historia e tyre ka tërhequr vëmendjen e mediave franceze, të cilët shkuajnë se prej një jave, familja ka ngritur çadrat e tyre pranë Bashkisë së qytetit, ndërsa solidariteti i qytetarëve dhe i shoqatave mbështetëse vazhdon. Të hënën në mbrëmje, rreth 60 persona morën pjesë në një tubim solidariteti, të organizuar nga shoqatat “Un toit, un avenir” dhe “Solidarité Partagée”, që prej javësh ndihmojnë familjen.
Samuel Forest, president i shoqatës Solidarité Partagée, shprehu shqetësimin për gjendjen e familjes.
“Situata është e papranueshme. Fëmijët sëmuren nga të ftohtit. Kemi parë raste ku familjet qëndrojnë deri në katër muaj në rrugë. Kjo nuk është normale dhe pushteti vendor nuk po ndërhyn.”
Megjithatë, sipas prefekturës së Montpeljesë, familja nuk konsiderohet prioritet për strehim emergjent, pasi ndodhet në situatë të parregullt ligjore dhe kërkesa e tyre për azil është refuzuar. Gjykata Administrative e qytetit, më 8 dhjetor, ka rrëzuar gjithashtu kërkesën për strehim.
Një tjetër tubim mbështetës është planifikuar të dielën, më 21 dhjetor, në orën 14:00, përpara Bashkisë së Montpeljesë, në një apel të qartë për ndihmë dhe solidaritet ndaj familjes.
VNA.al




