Kalimi paqësor i pushtetit në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë, shtyu Bashkimi Evropian të marrë vendimin për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke lejuar vendin të përfitojë miliona euro ndihmë financiare që në fillim të vitit 2026. Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para vendimin, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’ihiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani.
Pas saj edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi në X se BE-ja po i heq masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale u zhvillua në mënyrë paqësore.
“Transferimi i qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale ishte paqësor. Falë kësaj, jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Ne po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare. Dhe kemi ndërmend të lëvrojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Von Der Leyen.
BE-ja kishte hequr gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, por nuk ishte e qartë nëse ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji, pasi thuhej se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kishin vullnet një hap të tillë.
Masat u vendosën pas shpërthimit të tensioneve në kufi, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023 të bojkotuara nga serbët, por autoritetet në Kosovë këmbëngulnin se situata atje ishte çtensionuar, dhe mbajtja në fuqi e masave ishte e pakuptimtë.
Masat i kushtuan Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, sipas një analize të institutit për studime të avancuara, GAP.




