Vëllai vret motrën; po dëgjonte muzikë me zë të lartë

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Një ngjarje tragjike ka tronditur Napolin, ku një vajzë 22-vjeçare, Jlenia Musella, humbi jetën pas një konflikti të dhunshëm brenda familjes. E reja u transportua me urgjencë në spitalin “Villa Betania”, në lagjen Ponticelli, por mjekët nuk mundën të bënin asgjë tjetër veçse të konstatonin vdekjen e saj.

Sipas autoriteteve, Jlenia kishte pësuar një plagë të thellë në shpinë, si edhe shenja të dukshme dhune në fytyrë. Për vrasjen është arrestuar vëllai i saj, Giuseppe Musella, 28 vjeç, i cili pas ngjarjes ishte larguar nga vendi i krimit, por u vetëdorëzua gjatë natës në polici, duke pranuar fajësinë.

Nga hetimet paraprake rezulton se konflikti mes vëlla e motër ka nisur me dhunë fizike, ku vajza është goditur fillimisht me grushte dhe shpulla, përpara se të therrej për vdekje. Burime hetimore bëjnë me dije se shkaku i sherrit dyshohet të ketë qenë muzika me volum të lartë, pasi 28-vjeçari kërkonte të flinte. Debati verbal ka degraduar shpejt në një akt ekstrem dhune.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në rrugë, mes britmave që alarmuan banorët e zonës, të cilët njoftuan menjëherë autoritetet. Hetimet po kryhen nga Policia e Shtetit italiane nën drejtimin e Prokurorisë së Napolit. Arma e krimit ende nuk është gjetur dhe disa rrethana mbeten për t’u sqaruar.

Autoritetet kanë konfirmuar se Jlenia nuk kishte depozituar më parë denoncime për kërcënime apo përndjekje, çka ka fokusuar hetimet ekskluzivisht brenda rrethit familjar. Po ashtu, është përjashtuar çdo lidhje me krimin e organizuar, duke u cilësuar si një tragjedi e rëndë familjare.

Familja Musella jetonte në lagjen Conocal, një zonë me banesa sociale e ndërtuar pas tërmetit të vitit 1980, e njohur për problematika të theksuara sociale. Jashtë spitalit “Villa Betania” u mblodhën familjarë, miq dhe banorë të zonës, të tronditur nga humbja, ndërsa situata u monitorua nga forcat e rendit pa incidente.

Miqtë e Jlenias e kujtojnë atë si një vajzë plot jetë dhe energji. “Ishte gjithmonë një diell i ndezur. Është e pabesueshme të mendosh se buzëqeshja e saj u shua në këtë mënyrë”, shprehen ata, duke sjellë në vëmendje edhe aktivitetin e saj të madh në rrjetet sociale.

Share This Article