Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt në sulmet e fundit ndaj Iranit. Në një video tetë-minutëshe të publikuar në platformën e tij sociale, Truth Social, Trump deklaroi se forcat amerikane kanë nisur “operacione të mëdha luftarake” kundër objektivave iraniane.
Në fjalimin e tij, Trump u shpreh se administrata e tij kishte bërë përpjekje të përsëritura për të arritur një marrëveshje me Iranin lidhur me programin bërthamor, por sipas tij, pala iraniane nuk kishte qenë e gatshme të pranonte kushtet e kërkuara nga Uashingtoni. “Ne kërkuam vazhdimisht të bëjmë një marrëveshje. U përpoqëm,” tha ai, duke shtuar se SHBA-të “nuk do të lejojë kurrë që Irani të ketë armë bërthamore”.
Presidenti amerikan paralajmëroi se objektivi i operacionit është shkatërrimi i kapaciteteve raketore të Iranit. “Ne do të shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre të raketave. Do të zhduket kjo gjë plotësisht,” deklaroi Trump.
Një ditë më parë, Trump kishte thënë se SHBA-ja nuk kishte marrë një “vendim përfundimtar” për goditje ndaj Iranit, por kishte theksuar se ishte i pakënaqur me qëndrimin e Teheranit në negociatat për programin bërthamor. Ai kishte nënvizuar se Irani “nuk është i gatshëm të japë atë që ne duhet të kemi”.
Më herët gjatë javës, në Gjenevë ishin zhvilluar bisedime indirekte mes dy vendeve, me të dyja palët që kishin deklaruar se ishte arritur njëfarë progresi drejt një marrëveshjeje të re. Megjithatë, tensionet janë rritur ndjeshëm, ndërsa Uashingtoni ka shtuar presionin ndaj Teheranit, duke paralajmëruar se është “gati, i gatshëm dhe i aftë” të veprojë “me shpejtësi dhe forcë”, nëse është e nevojshme.
I pyetur nëse situata mund të çojë në një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme, Trump pranoi se “gjithmonë ekziston rreziku”. “Kur ka luftë, ka rrezik për gjithçka – si për mirë ashtu edhe për keq,” tha ai. Trump shtoi se Irani ka 47 vite që urren Amerikën.


