Prej më shumë se një jave, rruga drejt juglindjes është e pakalueshme, konkretisht në segmentin Librazhd–Përrenjas, për shkak të dëmtimit të urës. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se në javën e ardhshme do të jetë gati projekti teknik për ndërtimin e një rruge emergjence, 1.3 km të gjatë, mbi shtratin e hekurudhës që shtrihet përgjatë saj.
Gëzim Noni, përfaqësues në ARRSH, gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE”, tha se situata e krijuar ka ardhur si pasojë e erozionit dhe gërryerjeve që kanë ndodhur ndër vite. Por, paralelisht, edhe lagështira dhe shirat e muajve të fundit kanë ndikuar në këtë situatë.
“Ne jemi në fazën që këtë javë që vjen kemi gati projektin për ndërtimin e një rruge me gjatësi 1.3 km. Jemi duke bashkëpunuar me stafin e hekurudhës për detajet teknike. Projekti do të përfundojë së shpejti, por nuk mund t’ju them se kur do të mbarojë kjo rrugë dhe situata të kthehet në normalitet. Kjo do të varet nga projekti final”, tha Noni në Vizion Plus.
Por, teksa punimet për pastrimin e zonës nga inertet po vijojnë dhe deri në përfundim të analizave gjeologjike, disa ekspertë inxhinierë kanë hedhur idenë se kjo shembje do të ndikojë në devijimin e gjurmës rrugore të Korridorit 8.
“Në Autoritetin Rrugor, devijimin e gjurmës nuk e kemi si opsion. Nuk kemi diskutuar dhe nuk kemi në plan të kemi diskutime të tilla. Do të merren masat e nevojshme që gjurma të jetë në rrugën ekzistuese dhe të mos ketë devijime. Ndërkohë, punimet për zgjerimin e rrugës Elbasan–Qafë Thanë vijojnë”, tha Noni.
Aktualisht, trafiku drejt juglindjes është orientuar nga Maliq–Lozhan–Strelc–Gramsh–Elbasan, si dhe nga Qafë Thanë–Pogradec–Korçë–Leskovik–Përmet–Tepelenë.


