Avokati Leonard Karaj, i ftuar në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj këtë të enjte, ka komentuar situatën politike brenda opozitës.
Ndërsa po diskutohej për tryezën e thirrur nga Ermal Hasimja, Karaj tha se që të gjithë opozitarët të bëhen bashkë dhe të ketë ndryshim në qeveri, duhet që Sali Berisha të largohet nga PD.
Sipas tij, sot mungojnë rreth 200 mijë vota për PD, jo sepse këta votues duan Edi Ramën, por sepse nuk duan Berishën kryeministër.
Pjesë nga biseda:
Karaj: 200 mijë veta që nuk dalin në votime është sepse nuk duan ta shohin më Berishën kryeministër. Unë nuk besoj se të heqësh një të keqe të madhe, Ramën, dhe ta zëvendësosh me një të keqe më të vogël, Berishën, është zgjidhje.
Hasimja: Kush është zgjidhje?
Karaj: Unë, ti, ky tjetri. Politika nuk është luftë. O Ermal, nuk e ke ti në dorë; zgjidhja e problemit është Berisha. Nëse Berisha do të rrijë aty deri sa të vdesë, nuk e heq dot njeri. Nëse Fatos Nano do të donte të rrinte kryetar partie, mendon ti se do ta hiqte Rama?
Hasimja: Çfarë do bëjmë në rastin konkret?
Karaj: Debati që ke nuk qëndron te ti. Duhet një presion pozitiv nga Grigels Muçollari dhe nga ata që janë në kryesi. Aty ka dy rrugë: ose vetëpërjashtohesh, ose vetëpërjashtohesh. Nuk mund t’u thuash atyre 200 mijë shqiptarëve: votoni për mua, por kryeministër do të jetë prapë Berisha.


