Tregu i energjisë elektrike do te jetë i lirë. Një projektligj i ri, synon liberalizimin e plotë të tij dhe integrimin me tregun evropian të energjisë.
Ministria e Energjisë ka hedhur në konsultim publik një nga projektligjet më të rëndësishme për transformimin e sektorit energjetik, “Për sektorin e energjisë elektrike”, një nismë që synon të riformatojë tërësisht mënyrën se si funksionon tregu i energjisë në vend.
Projektligji synon liberalizimin e tregut, rritjen e konkurrencës dhe integrimin e plotë me tregun evropian të energjisë.
Qëllimi është garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike, përmes krijimit të një tregu funksional dhe konkurrues, duke vendosur në qendër interesat e konsumatorëve, transparencën e çmimeve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në këtë kuadër, një nga shtyllat kryesore të projektligjit është përafrimi i plotë me paketën “Clean Energy Package” të Bashkimit Evropian.
Projektligji sjell një ndryshim të rëndësishëm të modelit të tregut, duke kaluar nga një sistem më i centralizuar dhe i dominuar nga ndërhyrja shtetërore, drejt një tregu të liberalizuar, ku konkurrenca dhe sinjalet e tregut do të luajnë rol kyç në përcaktimin e çmimeve dhe investimeve. Në këtë model të ri, roli i shtetit zhvendoset nga operator aktiv në garantues të rregullave dhe mbikëqyrës të funksionimit të tregut, duke krijuar hapësira më të mëdha për aktorët privatë dhe investimet.
Gjithashtu parashikohet transformimi i rolit të konsumatorit. Për herë të parë, projektligji e trajton konsumatorin jo vetëm si përfitues të shërbimit, por si pjesëmarrës aktiv në treg. Koncepte të reja si “klienti aktiv”, “komunitetet e energjisë” dhe “ndarja e energjisë” krijojnë mundësi që qytetarët dhe bizneset të prodhojnë, konsumojnë dhe madje të tregtojnë energjinë e tyre.

