Mes krisjes shqetësuese me aleatin historik përtej oqeanit, Britania e Madhe ka varur te mbreti Charles shpresat për të riparuar marrëdhëniet me SHBA. Monarku, i cili po zhvillon një vizitë të rëndësishme 4-ditore në Shtetet e Bashkuara, i shoqëruar nga Mbretëresha Kamila, pritet të mbajë sot një fjalim në Kongres, ku do të theksojë rëndësinë e unitetit mes dy vendeve dhe nevojën për të mbrojtur vlerat demokratike.
Siç thuhet, mbreti do të shmangë përfshirjen në tensionet politike mes Presidentit Donald Trump dhe Kryeministrit britanik Keir Starmer, por do të theksojë vlerat e përbashkëta të vendeve të tyre, si detyrimi për të promovuar paqen, dhembshurinë dhe demokracinë, si dhe për të mbrojtur mjedisin dhe lirinë fetare.
Një burim nga pallati mbretëror tha se, pavarësisht dallimeve të herëpashershme në marrëdhëniet mes dy vendeve, mbreti do të thotë se ato gjithmonë kanë gjetur mënyra për t’u bashkuar.
Vizita e planifikuar prej kohësh mbahet në një klimë tensionesh, pasi Trump ka kritikuar disa herë Britaninë për refuzimin e mbështetjes së luftës ndaj Iranit, si dhe pas një email-i të brendshëm të Pentagonit që sugjeronte se Uashingtoni mund të rishikojë mbështetjen e tij për pretendimin britanik mbi Ishujt Falkland.
Fjalimi i mbretit, i planifikuar mbrëmjen e sotme, do të jetë i dyti i një monarku britanik para Kongresit të SHBA-së. Në vitin 1991, nëna e tij, Mbretëresha Elizabeth II, iu drejtua të dy dhomave të Kongresit.
Ky është një nga momentet kryesore të vizitës shtetërore dhe do të pasohet nga një darkë shtetërore të martën në mbrëmje. Vizita filloi të hënën, kur Charles dhe Camilla u takuan me Trump dhe Zonjën e Parë Melania Trump për një çaj në Shtëpinë e Bardhë, i ndjekur nga një pritje në kopsht në rezidencën e ambasadorit britanik.

