Koreja e Veriut mund të bëhet fuqi e madhe ekonomike, nëse heq dorë nga armët bërthamore, është shprehur presidenti amerikan, Donald Trump.
Ai ka shtuar në një postim në Twitter se, ky komb “ka potencial për rritje më të shpejtë sesa çdo komb tjetër”.
Komentet e tij kanë ardhur vetëm disa orë, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se Peniani vazhdon të përbëjë kërcënim. Presidenti amerikan dhe udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un do të takohen për herë të dytë në datat 27-28 shkurt, në Hanoi të Vietnamit.
“Që të dy palët presim vazhdimësi të përparimit që është bërë në samitin e parë në Singapor”, ka thënë Trump, duke iu referuar takimit historik që dy udhëheqësit zhvilluan vitin e kaluar.
Të dielën, në një takim me guvernatorët e shteteve, ai tha po ashtu se ka zhvilluar “marrëdhënie shumë, shumë të mira” me kreun koreano-verior.
Megjithatë, ai shtoi se nuk është duke nxitur procesin e denuklearizimit të Koresë së Veriut.
“Nuk dua t’i bëj presion askujt. Vetëm nuk dua testime. Për aq kohë sa nuk ka testime, ne jemi të lumtur”, është shprehur ai.
Samiti i mbajtur në Singapor është cilësuar historik, pasi ka qenë takimi i parë i një presidenti amerikan në detyrë dhe një udhëheqësi nga Koreja e Veriut. Trump dhe Kim Jong-un ranë dakord për denuklearizim të gadishullit Korean, megjithatë shumë pak është bërë në këtë drejtim që nga ajo kohë.