Polonia, Letonia, Lituania dhe Estonia japin mbështetjen e tyre absolute për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një mëngjes pune, në MEPJ, me Ministrin e Jashtëm të Polonisë, Jacek Czaputowicz, Ministrin e Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkēvičs, Ministrin e Jashtëm të Lituanisë, Linas Antanas Linkevičius dhe Nënsekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane në Ministrinë e Jashtme të Estonisë, Märt Volmer.
Takimi u fokusua në çështje që lidhen me procesin integrimit europian të Shqipërisë, në të cilin mbështetja që japin këto vende, për fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian është absolute.
Në konferencën për shtyp, të zhvilluar pas mëngjesit të punës, Cakaj u shpreh se forma e re e negociimit, i siguron vendet anëtare në përgjithësi dhe vendet skeptike në veçanti, se përparimi në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian do të kushtëzohet drejtpërdrejtë nga përparimi i prekshëm, reformat e thella dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Gjithashtu, Kryediplomati në fjalën e tij theksoi : “Shqipëria, natyrisht, mirëpret metodologjinë e re duke vlerësuar nevojën e rritjes së besueshmërisë së BE-së në Ballkanin Perëndimor”.