Arkivat federale gjermane “Bundesarchiv” do t’i transferojnë Polonisë dosjet elektronike të 12,5 milionë anëtarëve të Partisë naziste NSDAP, në kuadër të një marrëveshje të nënshkruar në fund të janarit me “Institut Pilecki”.
“Bëhet fjalë për 25 milionë faqe dosiesh personale të të gjithë anëtarëve të partisë naziste”, njoftoi Wojciech Kozlowski, presidenti i këtij instituti të krijuar në vitin 2016 nga qeveria konservatore për të studiuar regjimet totalitare naziste dhe komuniste.
“Këto dokumente janë thelbësore për të ditur se cilët përbënin administratën e Polonisë së pushtuar nga Rajhu i Tretë në vitet 1939 dhe 1945, cili ishte profili sociologjik, kulturor, intelektual i pushtuesve, apo nga cili rajon i Gjermanisë vinin ata”, theksoi Kozlowski.