Shtetet e Bashkuara po planifikojnë hapjen e një qendre karantine në Kenia për rastet e dyshuara ose të konfirmuara me Ebola, kryesisht për qytetarët amerikanë që largohen nga Republika Demokratike e Kongos, ndërsa epidemia vijon të përhapet.
Sipas raportimeve të “Wall Street Journal”, qendra është ende në pritje të miratimit nga autoritetet keniane. Objektivi i saj do të jetë izolimi dhe monitorimi i personave të ekspozuar ndaj virusit pa qenë nevoja që ata të transportohen menjëherë drejt SHBA-së. Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë shtuar masat e kontrollit për udhëtarët që vijnë nga Republika Demokratike e Kongos, Uganda dhe Sudani i Jugut, duke i ridrejtuar ata për kontrolle shëndetësore në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles në Washington.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë regjistruar mbi 900 raste të dyshuara me Ebola dhe rreth 220 viktima të dyshuara. Megjithatë, ekspertët besojnë se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta për shkak të vështirësive në terren. Kreu i Organizata Botërore e Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se konfliktet e armatosura në lindje të Kongos po pengojnë rëndë përpjekjet për kontrollin e epidemisë.


