Të paktën 16 nxënës kanë humbur jetën pas një zjarri që shpërtheu në një shkollë me konvikt në Gilgil, rreth 120 km në perëndim të kryeqytetit Nairobi, kanë konfirmuar autoritetet keniane.
Zjarri ra në orët e para të së enjtes në konviktin e vajzave në Utumishi Girls Academy, ndërsa nxënëset ishin në gjumë. Sipas Ministrisë së Arsimit, flakët nisën në katin e parë të një prej konvikteve, i cili u shkatërrua plotësisht.
Shërbimet e emergjencës dhe policia ndërhynë në vendngjarje, por deri në momentin që zjarri u vu nën kontroll rreth orës 03:00, dëmet ishin tashmë të mëdha.
Dhjetëra nxënës të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital, ndërsa 71 prej tyre janë liruar pas trajtimit dhe shtatë mbeten ende të shtruar për kujdes të mëtejshëm mjekësor.
Autoritetet kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa deri tani nuk ka ende një konkluzion zyrtar. Policia dhe Ministria e Brendshme kanë bërë thirrje për qetësi dhe shmangie të spekulimeve.
Zyrtarët kenianë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave, ndërsa qeveria ka nisur procesin e kthimit të nxënësve tek prindërit dhe kujdestarët. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në vend dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë në institucionet arsimore me konvikte.


