Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec / Në pranga roja i sigurisë private, nën hetim 2 të tjerë

Share

Një ditë pas incidentit që ndodhi ditën e djeshme, më 30 maj, gjatë protestës kundër projektit në Zvërnec, Policia ka njoftuar se ka arrestuar punonjësin e shoqërisë private të sigurisë së kantierit që goditi me grusht njërin prej protestuesve.

“Menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike ku shfaqet një punonjës i shoqërisë private të sigurisë duke goditur me grusht shtetasin E. S., Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të analizuar dhe hetuar të gjitha veprimet e ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026 nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur ‘Portonovë’.Në vijim të veprimeve hetimore, u bë identifikimi dhe shoqërimi i punonjësit të shoqërisë private të sigurisë, shtetasit G. B., 32 vjeç, banues në Durrës, i cili, në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprat penale ‘Heqja e paligjshme e lirisë’ dhe ‘Plagosja e lehtë me dashje’.

Ky shtetas ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me shtetasit A. G. dhe G. V. (të dy të proceduar penalisht), e kanë tërhequr me forcë drejt vendit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.“, ka bërë me dije Policia e Shtetit këtë të dielë.

Ndërkohë, bëhet me dije se ka nisur gjithashtu edhe hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.

Sjellim ndërmend se ngjarja e djeshme, solli edhe pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Çela.

Ngjarjet e së shtunës ndodhën ndërsa po mbahej një protestë nga qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës, pasi janë të shqetësuar se mund të ketë pasoja të mundshme mjedisore.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit