Autoritetet kineze kanë nisur një goditje ndaj “kuzhinave fantazmë” në kuadër të përpjekjeve për të rregulluar industrinë shumë konkurruese të shpërndarjes së ushqimit.
“Kuzhinat fantazmë” janë biznese që nuk kanë restorante fizike reale, por operojnë vetëm përmes aplikacioneve, shpesh duke deleguar përgatitjen e ushqimit te palë të treta me kosto më të ulët për të ulur çmimet dhe rritur fitimet.
Hetimet kanë zbuluar mijëra raste të tilla në Kinë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore, pasi çmimet e ulëta mund të jenë të lidhura me mungesë standardesh.
Sipas rregullave të reja, aplikacionet e shpërndarjes duhet të verifikojnë licencat dhe adresat e restoranteve, ndërsa bizneset online duhet të përputhin listimet me aktivitetin fizik dhe të deklarojnë nëse ofrojnë shërbim në vend apo vetëm delivery.
Autoritetet nisën hetimet pasi një ankesë në Pekin për një tortë të pakënaqshme çoi në zbulimin e një zinxhiri që kishte qindra “lokacione” online, por asnjë dyqan fizik real dhe që përdorte dokumente të falsifikuara.
Më tej u zbulua se porositë kalonin përmes platformave të ndryshme dhe përfundonin te prodhues të ndryshëm sipas ofertës më të lirë, duke krijuar një zinxhir të paautorizuar furnizimi.
Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, janë regjistruar miliona porosi dhe dhjetëra mijëra “dyqane fantazmë” në disa aplikacione kryesore, ndërsa autoritetet akuzojnë edhe vetë platformat për bashkëpunim në këto praktika.
Industria e shpërndarjes së ushqimit në Kinë mbetet shumë konkurruese, me luftë çmimesh që ka sjellë shqetësime edhe për kushtet e punës së shpërndarësve dhe standardet e shërbimit.


