Britani: Zbulim i ri në trajtimin e kancerit të vezoreve zgjat jetën dhe përmirëson cilësinë e saj

Share

Një trajtim i ri për kancerin e vezoreve, i quajtur mirvetuximab soravtansine, është bërë i disponueshëm në sistemin shëndetësor publik britanik (NHS) dhe po konsiderohet një përparim i rëndësishëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Ilaçi funksionon si një “raketë biologjike”, duke dërguar kimioterapinë direkt në qelizat kancerogjene dhe duke shmangur dëmtimin e pjesës tjetër të trupit. Kjo qasje redukton ndjeshëm efektet anësore krahasuar me kimioterapinë tradicionale.

Sipas të dhënave klinike, trajtimi rrit mesatarisht jetëgjatësinë e pacienteve nga 12.8 muaj në 16.5 muaj. Përveç zgjatjes së jetës, ai ofron edhe një përmirësim të dukshëm të cilësisë së jetës, me më pak lodhje, më pak të përziera dhe në shumë raste pa humbje flokësh.

Deri në 400 paciente në vit në Angli pritet të përfitojnë nga ky trajtim, i pari për format e vështira të kancerit të vezoreve në rreth 20 vjet.

Një paciente 64-vjeçare nga Londra e Veriut, e cila ka nisur terapinë këtë vit, tha se ndryshimi ishte “si dita me natën”, duke shtuar se ilaçi i kishte “kthyer një pjesë të madhe të jetës”, pasi i kishte lejuar të rifillonte aktivitetet e përditshme si udhëtimet, daljet në teatër dhe takimet me familjen.

Ekspertët e cilësojnë këtë trajtim si një hap të rëndësishëm përpara në trajtimin e kancerit të vezoreve dhe një alternativë më të butë ndaj kimioterapisë standarde.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit