Një zhytës 35-vjeçar ka humbur jetën pasi u sulmua nga një peshkaqen pranë ishullit Michaelmas, afër qytetit të Albany në Australinë Perëndimore. Ngjarja ndodhi të shtunën paradite, ndërsa ai po merrej me peshkim me harpun (spearfishing) së bashku me familjarët e tij.
Sipas autoriteteve, peshkaqeni dyshohet të ketë qenë rreth 4.5 metra i gjatë. Viktima u transportua me varkë në breg, ku ekipet mjekësore u përpoqën për më shumë se dy orë ta mbanin në jetë, por pa sukses.
Autoritetet lokale kanë paralajmëruar banorët dhe turistët të tregojnë kujdes të shtuar në zonën përreth ishullit Michaelmas dhe të respektojnë çdo urdhër për mbylljen e plazheve. Më herët gjatë ditës ishte raportuar edhe shikimi i një peshkaqeni të madh në të njëjtën zonë.
Ngjarja shënon sulmin e tretë fatal nga peshkaqenët në Australi brenda katër javëve të fundit, një rritje e pazakontë krahasuar me mesataren vjetore të vendit.
Policia e Australisë Perëndimore ka njoftuar se do të përgatisë një raport për koronerin, ndërsa hetimet mbi incidentin vazhdojnë.


