Gjithnjë e më shumë qytetarë në Mbretërinë e Bashkuar po zgjedhin të kërkojnë trajtim mjekësor jashtë vendit, në një përpjekje për të shmangur pritjet e gjata në sistemin publik shëndetësor NHS.
Sipas raportimeve, qindra mijëra britanikë në vit po udhëtojnë drejt vendeve si Spanja, Greqia, Qipro dhe Malta për operacione dhe trajtime të ndryshme, përfshirë ndërhyrje në gju dhe ije, trajtime kardiologjike, gjinekologjike dhe kirurgji estetike.
Arsyeja kryesore e këtij trendi është rritja e madhe e listave të pritjes në NHS, ku miliona pacientë presin për trajtim dhe në disa raste koha e pritjes shkon për muaj apo edhe vite. Për shumë persona, kjo situatë i ka shtyrë të kërkojnë alternativa më të shpejta jashtë vendit, edhe pse shpesh me kosto private.
Disa klinika jashtë Britanisë ofrojnë paketa të plota që përfshijnë jo vetëm operacionin, por edhe udhëtimin dhe akomodimin, duke e bërë më të lehtë për pacientët kombinimin e trajtimit mjekësor me qëndrim të shkurtër jashtë vendit.
Ekspertët thonë se ky fenomen, i njohur si “turizëm mjekësor”, nuk është i ri, por është rritur ndjeshëm vitet e fundit për shkak të presionit të madh mbi NHS dhe kapaciteteve të kufizuara në disa shërbime.
Ndërsa NHS mbetet shtylla kryesore e sistemit shëndetësor britanik, rritja e numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim jashtë vendit tregon sfidat serioze me të cilat po përballet sistemi publik.


