Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar sot, më 7 qershor, kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe prej 16 muajsh.
Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi organizon sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Ky proces vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Votimi brenda Kosovës do të organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime.
Prej tyre, 911 qendra me 2.498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë, me 52 vendvotime do të jenë të dedikuara për votimin me kusht.
Ndërkohë, votimi jashtë vendit, përveç atij përmes postës, është organizuar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata.
Në këto përfaqësi janë vendosur gjithsej 47 vendvotime, ndërsa votimi fizik i diasporës është zhvilluar më 6 qershor 2026.
Organizimi i këtij procesi zgjedhor, sipas të dhënave zyrtare, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës më shumë se 10.8 milionë euro.


