Të paktën 12 persona janë plagosur gjatë një incidenti me armë zjarri që ndodhi pranë Festivalit Old West End në qytetin Toledo, në shtetin amerikan Ohio.
Sipas policisë lokale, dy persona dyshohet se kanë shkëmbyer të shtëna me armë pranë zonës së festivalit, duke goditur disa kalimtarë. Viktimat janë të moshave nga 14 deri në 61 vjeç, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Autoritetet kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka arrestime dhe po vazhdojnë hetimet për identifikimin e të dyshuarve. Gjithashtu, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që ishin të pranishëm të dorëzojnë çdo material filmik apo fotografik që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Ngjarja ka shkaktuar panik mes pjesëmarrësve të festivalit, i cili është një aktivitet tradicional me muzikë, ushqim dhe aktivitete kulturore në lagjen historike të qytetit.


