Nga tortura e pritjeve në aeroporte te çmimet e larta / BE premton më shumë mbrojtje për udhëtarët

Share

Pas më shumë se 13 vitesh negociata, Bashkimi Europian po përgatitet të miratojë një paketë të re rregullash që synon forcimin e të drejtave të pasagjerëve ajrorë. Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi nga gjysma e dytë e vitit 2027 dhe do të prekin çështje si bagazhet e dorës, vonesat, anulimet e fluturimeve dhe procedurat e kompensimit.

Sipas propozimeve të dakordësuara, pasagjerët do të vazhdojnë të kenë të drejtën për një çantë personale falas në kabinë, ndërsa kompanitë ajrore do të detyrohen të tregojnë në mënyrë më transparente tarifat për bagazhet shtesë. Gjithashtu, ruhet e drejta për kompensim financiar në rast vonesash të konsiderueshme, me kompensime që variojnë nga 250 deri në 600 euro, sipas distancës së fluturimit.

Rregullat e reja parashikojnë detyrime më të qarta për linjat ajrore në rast anulimi të fluturimeve. Nëse kompania nuk ofron një alternativë të përshtatshme brenda afateve të përcaktuara, pasagjerët do të kenë të drejtë të organizojnë vetë udhëtimin dhe të kërkojnë rimbursim të shpenzimeve.

Paketa përfshin edhe masa shtesë për familjet, duke garantuar që fëmijët të mund të ulen pranë prindërve pa pagesë shtesë, si dhe thjeshtimin e procedurave për paraqitjen e kërkesave për kompensim.

Me këto ndryshime, Bashkimi Europian synon të ofrojë më shumë siguri, transparencë dhe mbrojtje për miliona pasagjerë që udhëtojnë çdo vit me transport ajror.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit