Emigrantët që jetojnë prej shumë vitesh në Mbretërinë e Bashkuar po shprehin shqetësime se ndryshimet e propozuara nga qeveria mund t’ua vështirësojnë marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm dhe, më pas, të shtetësisë britanike.
Sipas planeve të qeverisë, periudha e pritjes për statusin e qëndrimit të përhershëm (Indefinite Leave to Remain – ILR) mund të zgjatet nga 5 në 10 vjet. Gjithashtu, aplikantët do të duhet të kalojnë testin “Life in the UK”, i cili vlerëson njohuritë mbi historinë, kulturën dhe shoqërinë britanike.
Një tjetër masë e propozuar parashikon që emigrantët që kanë përfituar ndihma shtetërore për më shumë se 12 muaj të përballen me një pritje deri në 20 vjet për të fituar statusin e përhershëm.
Organizatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve paralajmërojnë se ndryshimet mund të prekin persona që kanë jetuar dhe punuar në Britani për shumë vite, duke krijuar pasiguri për të ardhmen e tyre ligjore dhe duke vonuar procesin e integrimit të plotë në shoqërinë britanike.
Propozimet kanë nxitur debat edhe në politikën britanike, ku disa figura të Partisë Laburiste kanë shprehur rezerva, duke argumentuar se masat mund të jenë të padrejta për emigrantët që kanë kontribuar për vite me radhë në ekonominë dhe komunitetet e vendit.


