Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në një magazinë të madhe në zonën industriale të Bobigny, në verilindje të Parisit, duke shkaktuar re të mëdha tymi të zi që janë parë nga disa kilometra larg.
Sipas autoriteteve lokale, flakët kanë përfshirë një objekt rreth 75,000 metra katrorë, ku operojnë disa kompani. Shërbimet e zjarrfikëses janë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për të vënë nën kontroll situatën, ndërsa zjarri ende nuk është shuar plotësisht.
Banorëve dhe bizneseve në zonë u është kërkuar të shmangin lëvizjet pranë vendit të ngjarjes për shkak të rrezikut nga tymi dhe përhapja e mundshme e flakëve. Deri tani nuk raportohet për viktima apo të lënduar, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet i panjohur.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë shtëllunga të mëdha tymi që ngrihen mbi qytet dhe janë të dukshme nga distanca të gjata, duke shkaktuar shqetësim te banorët.
Ngjarja vjen pak kohë pas një tjetër incidenti zjarri në kryeqytetin francez Paris, ku më shumë se 400 persona u evakuuan nga hoteli luksoz Le Bristol Paris pas një zjarri në kuzhinën e bodrumit.


