Autoritetet britanike këshillojnë qytetarët të qëndrojnë në hapësira publike / Temperaturat arrijnë 38°C

Share

Bibliotekat publike, qendrat komunitare, qendrat tregtare dhe hapësirat e posaçme “Cool Spaces” janë ndër vendet ku autoritetet britanike po këshillojnë qytetarët të qëndrojnë gjatë orëve më të nxehta të ditës, ndërsa Mbretëria e Bashkuar përballet me temperatura që mund të arrijnë deri në 38-40 gradë Celsius këtë javë.

Zyra Meteorologjike britanike, Met Office, ka lëshuar paralajmërime të rralla për nxehtësi ekstreme për pjesë të mëdha të Anglisë dhe Uellsit. Sipas parashikimeve, kulmi i valës së të nxehtit pritet të jetë të mërkurën dhe të enjten, kur temperaturat mund të ngjiten në 38°C, me mundësi që në disa zona të afrohen edhe 40°C.

Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se nxehtësia e lartë dhe lagështia e madhe në ajër mund të krijojnë rrezik për të gjithë popullsinë, jo vetëm për grupet vulnerabël. Shqetësim i veçantë mbeten edhe netët tropikale, kur temperaturat nuk bien nën 20°C, duke e bërë të vështirë freskimin e trupit gjatë natës.

Qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell nga ora 11:00 deri në 15:00, të konsumojnë sa më shumë ujë dhe, kur është e mundur, të kalojnë kohë në ambiente publike të freskëta dhe me hije.

Ndërkohë, vala e të nxehtit ka shkaktuar shqetësime edhe për transportin dhe shërbimet publike, me paralajmërime për vonesa në hekurudha, mbyllje të disa shkollave dhe presion të shtuar mbi rrjetet e energjisë dhe furnizimit me ujë.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit