Serbia vazhdon pretendimet që mohojnë krimet e luftës, evidenton YIHR

Share

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Beograd ka identifikuar të paktën 110 raste të mohimit dhe relativizimit të krimeve të luftës gjatë vitit 2025 në Serbi, sipas raportit më të ri vjetor të organizatës.

Raporti, i titulluar “Gjendja e mohimit”, evidenton 60 raste të lavdërimit të 10 personave të dënuar për krime lufte, si dhe 50 raste të formave të ndryshme të mohimit të krimeve të kryera gjatë konflikteve të viteve ’90.Sipas dokumentit, ndër rastet e regjistruara përfshihen mohimi i krimeve në Reçak të Kosovës, mohimi i rrethimit të Sarajevës, i ekzistencës së kampeve në Prijedor, si dhe mohimi i varrezave masive në Batajnicë afër Beogradit, ku ishin fshehur trupat e viktimave nga Kosova.

YIHR vlerëson se gjenocidi në Srebrenicë mbetet krimi që mohohet më së shumti në Serbi. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë dokumentuar të paktën 30 raste të mohimit të këtij gjenocidi.

Në raportin e katërt vjetor të organizatës thuhet se glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës, përfshirë Ratko Mlladiqin, nuk kufizohet vetëm te përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, por është i pranishëm edhe në disa media, parti politike, qarqe fetare dhe pjesë të komunitetit akademik.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit