Modelet më të fundit meteorologjike sugjerojnë se Mbretëria e Bashkuar mund të përjetojë një tjetër valë të fortë të nxehti javën e ardhshme, me temperatura që në disa zona mund të arrijnë deri në 41°C, duke rrezikuar të thyejnë rekordin kombëtar të të gjitha kohërave.
Sipas raportimeve, skenarët e modeleve të motit tregojnë se kulmi i vapës mund të regjistrohet në jug dhe juglindje të Anglisë, ndërsa temperaturat mbi 30°C pritet të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit.
Megjithatë, Met Office ka bërë të ditur se, ndonëse një tjetër valë e të nxehtit është e mundshme, parashikimet për temperatura 41°C nuk janë ende të konfirmuara dhe bazohen në skenarët më ekstremë të modeleve kompjuterike. Autoritetet meteorologjike theksojnë se parashikimet do të bëhen më të sakta në ditët në vijim.
Rekordi aktual i temperaturës më të lartë të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar është 40.3°C, i vendosur në korrik të vitit 2022. Nëse parashikimet më ekstreme realizohen, vendi mund të përballet me ditën më të nxehtë në historinë e tij.


