Qeveria britanike ka propozuar një skemë të re, sipas së cilës azilkërkuesit që marrin statusin e refugjatit do të duhet të shlyejnë një pjesë të kostos së akomodimit të financuar nga shteti, pasi të fillojnë të punojnë dhe të fitojnë të ardhura mbi një prag të caktuar.
Sipas planit, pagesat do të kryhen me këste, në një mënyrë të ngjashme me kreditë studentore, ndërsa shuma totale që pritet të paguhet mund të arrijë deri në 10 mijë paund. Personat që kanë përfituar strehim me shpenzimet e taksapaguesve nuk do të mund të aplikojnë për leje të përhershme qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar derisa ta kenë shlyer plotësisht këtë detyrim.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, deklaroi se kostoja e strehimit të azilkërkuesve për taksapaguesit është bërë shumë e lartë dhe se ata që kanë mundësi të kontribuojnë financiarisht duhet ta bëjnë këtë pasi të integrohen në tregun e punës.
Masa është pjesë e Projektligjit për Emigracionin dhe Azilin, i cili pritet të paraqitet në Parlamentin britanik.
Megjithatë, ekspertët kanë ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e saj. Drejtoresha e Observatorit të Migracionit në Universitetin e Oksfordit, Dr. Madeleine Sumption, vlerëson se vetëm një pjesë e vogël e refugjatëve do të kenë të ardhura të mjaftueshme për të bërë pagesat. Sipas saj, ekziston gjithashtu rreziku që skema të dekurajojë disa refugjatë të punojnë, për të shmangur detyrimin për të paguar koston e akomodimit.


