Këshilltari i partisë Reform, Tuli Zefi, qëndroi pranë 19-vjeçarit pasi ky i fundit u plagos me thikë gjatë një përleshjeje në rrugën “Market Street” në Oldbury.
Këshilltari i zonës Langley, Tuli Zefi, u ndodh në vendngjarje kur ndodhi sulmi dhe nxitoi menjëherë për t’i ofruar ndihmën e parë të riut, i cili aktualisht ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.
Lidhur me ngjarjen, Policia e West Midlands ka arrestuar tre persona – dy djem të moshës 17 vjeç dhe një të ri 18 vjeç – nën dyshimin për tentativë vrasjeje.
Duke folur për përjetimin e tij, këshilltari Zefi u shpreh:
“Është diçka që do të mbetet gjatë në mendjen time. Të shohësh një 19-vjeçar duke luftuar për jetën është diçka që askush nuk duhet ta dëshmojë. Në atë moment bëra atë që shpresoj se do ta bënte kushdo. Qëndrova me të, i dhashë ndihmën e parë, u përpoqa ta mbaja të qetë dhe e sigurova se ndihma e shpejtë ishte rrugës.”
Zefi gjithashtu falënderoi qytetarët e tjerë që ndaluan pa hezituar për të ndihmuar dhe shtoi se si prind, zemra e tij shkon për familjen e të riut, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim kundër krimeve me thikë: “Shpresoj që një ditë të arrijmë në një pikë ku asnjë familje të mos përjetojë frikën dhe dhimbjen që solli kjo ngjarje.”


