Andy Burnham ka njoftuar pezullimin e skemës që do t’u mundësonte mijëra të burgosurve në Angli dhe Uells të liroheshin më herët nga burgu.
Vendimi erdhi pas kritikave të forta nga të mbijetuarit e krimeve dhe familjet e viktimave, përfshirë Lissie Harper, e veja e oficerit të policisë Andrew Harper, e cila e cilësoi mundësinë e lirimit të hershëm të vrasësve të bashkëshortit të saj si “të papranueshme”.
Skema, e parashikuar të hynte në fuqi në shtator përmes Aktit të Dënimeve (Sentencing Act), synonte të ulte mbipopullimin në burgje. Sipas saj, disa të dënuar do të mund të liroheshin pasi të kishin vuajtur vetëm një të tretën e dënimit, në vend të gjysmës, ndërsa pjesën e mbetur të dënimit do ta kalonin në komunitet nën mbikëqyrje. Për të dënuarit për vepra më të rënda, lirimi do të bëhej pas vuajtjes së gjysmës së dënimit, në vend të dy të tretave.
Sekretari i ri i Drejtësisë, Alex Norris, tha se pezullimi i skemës synon t’u japë “siguri viktimave dhe të mbijetuarve”, duke shtuar se qeveria dëshiron të sigurohet që zbatimi i politikës të bëhet në mënyrën e duhur. Ai njoftoi gjithashtu një rishikim të procedurave të informimit të viktimave dhe familjeve të tyre lidhur me lirimet e parakohshme.
Burnham deklaroi se “asnjë i burgosur nuk do të lirohet sipas kësaj politike derisa të përfundojë një rishikim urgjent dhe të bëhet gjithçka e mundur për të minimizuar rrezikun për publikun”, duke shtuar se, nëse do të nevojiten ndryshime, ato do të zbatohen pa hezitim.
Sipas BBC-së, rreth 700 të burgosur pritej të përfitonin nga skema në fillim të muajit shtator.
Vendimi për pezullimin e saj u ndikua edhe nga reagimet e familjes së oficerit Andrew Harper, i cili u vra në vitin 2019 pasi u tërhoq zvarrë nga një automjet i drejtuar nga tre adoleshentë. Dy prej autorëve të dënuar me nga 13 vjet burg do të kishin të drejtë të përfitonin nga skema duke filluar nga qershori i vitit 2027.
Lissie Harper kritikoi ashpër planin, duke thënë se politikanët po marrin vendime “nga pas tavolinave”, pa menduar për pasojat që ato kanë për familjet e viktimave. Edhe nëna e Andrew Harper u shpreh se djali i saj nuk kishte marrë drejtësinë që meritonte dhe se shumë familje të tjera ndajnë të njëjtin shqetësim.
Në javët e fundit, mijëra viktima dhe familjarë të tyre kishin marrë letra zyrtare që i njoftonin se skema e lirimit të parakohshëm do të hynte në fuqi në shtator, përpara se qeveria të vendoste pezullimin e saj.


