Princi saudit Abdullah Jalawi Al Saud, 29 vjeç, u gjet i vdekur në një dhomë të hotelit luksoz Marriott në Kensington, Londër. Sipas hetimit mjeko-ligjor, ai pësoi arrest kardiak pas konsumimit të një kombinimi alkooli dhe substancash narkotike. Analizat toksikologjike zbuluan nivele fatale të GHB-së, e njohur si “droga e festave”, si dhe gjurmë kanabisi dhe medikamentesh kundër ankthit, përfshirë Xanax.
Princi kishte mbërritur në hotel më 19 nëntor për një qëndrim njëjavor dhe u gjet pa shenja jete në dyshemenë e banjës nga një punonjëse e hotelit. Ekipet e urgjencës u përpoqën ta rikthenin në jetë, por pa sukses.
Gjatë seancës u bë e ditur se ai kishte pasur më parë probleme me varësinë nga alkooli dhe medikamentet qetësuese. Ai kishte ndjekur trajtim rehabilitues në një klinikë në Londër dhe kishte përfunduar programin e detoksifikimit, por më pas nuk ishte paraqitur në takimet e planifikuara të ndjekjes.


