Komandanti i bazës ushtarake amerikane Bondsteel në Kosovë, Kolonel Roj Makareg, ka deklaruar se vendimi për tërheqjen eventuale të trupave ushtarake të SHBA-ve nga Kosova, si pasojë e taksës 100%, “do të merret në nivelin politik”.
“Ambasada Amerikane në Prishtinë e ka thënë qartë qëndrimin tonë kombëtar. Ne si KFOR mbetemi të përkushtuar ndaj misionit tonë të caktuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara”, tha Makareg.
Ai mohoi mundësinë e zhvendosjes së Bondsteel në pjesën veriore.
“Ekziston tashmë një bazë e KFOR-it në veri të Kosovës, Kampi “Notting Hill” dhe nuk ka asnjë plan për të ndërtuar një bazë të re”.
Ky kamp që prej së enjtes u bë temë e nxehtë e debatit politik në Kosovë. Klan Kosova raportoi se dy diplomatët John Erath dhe Bred Berkley, kur listuan sanksionet e mundshme, për mosdëgjueshmëri politike në rastin e mos-heqjes të taksës, thanë se mund të ketë edhe tërheqje të trupave amerikane që më në numër janë në kampin ushtarak.